Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, ka vizituar sot fabrikën e dyshekëve dhe shpuzës, Comodita në Gjakovë.

Ai u prit nga pronari, Shkëlqim Devolli dhe drejtori e stafi menaxherial, të cilët ia treguan të gjitha repartet dhe hapësirat e shumta dhe të mëdha prodhuese të fabrikës.

Pasi e pa krejt Comoditën, ambasadori norvegjez tha se u impresionua me atë që pa. Madhësia dhe kapacitetet e prodhimit i lanë shumë përshtypje të jashtëzakonshme, njofton Klankosova.tv.

Po ashtu, Grondahl tha se i erdhi shumë mirë kur kuptoi se cili është kontributi masiv i Comoditës në eksportimin e produkteve të saj në Amerikë dhe Evropë.

 

Pos kësaj, mysafiri nga Norvegjia ka lavdëruar fabrikën, pronarin dhe stafin menaxherial që po bëjnë përpjekje kaq të mëdha për të krijuar vende të shumta pune dhe për të kontribuuar në buxhetin e shtetit.

Sipas tij, krejt këto ndikojnë pozitivisht që rinia dhe profesionistët të mbeten në Kosovë, duke pamundësuar kështu ikjen e trurit jashtë vendit e shtetit.

Grondahl nuk kurseu fjalët e mira edhe për pastërtinë në të gjitha hapësirat e fabrikës.

Comodita është fabrika e dytë më e madhe në botë për prodhimin e dyshekëve dhe eksportuesi më i madh në Kosovë.